Kristjan Asllani mund të largohet nga Interi. Zikaltrit prej kohësh janë në kërkim të një mesfushori dhe emri më i përfolur është ai i Maxime Lopez nga Sassuolo. Negociatat kanë hyrë në fazë intensive dhe siç duket palët po diskutojnë dhe detajet finale.
Ish-lojtari i Marsejës është dhe një dëshirë e trajnerit Simone Inzaghi, por propozimi i vetëm që zikaltrit mund të japin, është shkëmbimi me Asllanin. Talenti shqiptar pëlqehet nga Sassuolo që mund t’i garantojë futbollistit shqiptar më shumë minuta lojë. Atje, Asllani do të gjente lojtarin tjetër të Kombëtares, Nedim Bajrami.
Vlera e Maxime Lopez në treg është 20 milionë euro, megjithatë marrëdhëniet e mira që Interi ka me Sassuolo-n mund ta bëjë dhe më të lehtë këtë shkëmbim. Drejtuesit zikaltër ia kanë bërë të qartë se nuk duan të shpenzojnë asnjë euro më shumë për shkëmbimin.
Kristjan Asllani ka ngrohur stolin që kur u zyrtarizua tek Interi një vit më parë, pasi minutat nga Simone Inzaghi kanë qenë të pakta. Talenti shqiptar kërkon më shumë hapësira dhe për këtë po mendon seriozisht një transferim te skuadra nga Emilia-Romagna.