Gjykata e Apelit të Posaçëm la në burg të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza”. Bëhet fjalë për biznesmenin Pëllumb Gjoka, prokurorin Xhevahir Lita, ish-shefin e operacionales, Oltion Bistri, dhe të tjerë persona që dyshohet se kanë planifikuar krime, deri në vrasje përmes ndërhyrjeve dhe pagesave të majme.
Por avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, Ylli Manjani tha se gjykatat perëndimore nuk pranojnë prova të tilla në gjyq. Sipas tij, për Gjokën dhe të tjerët nuk ka akuzë zyrtare nga prokuroria dhe asnjëri prej tyre nuk është i pandehur. Ai tha se do të vijojnë betejën edhe në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
“Do vazhdojmë në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese derisa të bindet edhe më skeptiku, që gjykata tona kanë nevojë të dëgjojnë kolegët e tyre në perëndim dhe të vendosin siç vendosin kolegët e tyre në perëndim. Këta nuk i pranojnë prova të tilla në gjyq. Për zotin Gjoka dhe të tjerë nuk ka akuzë zyrtare nga prokuroria e shtetit. Asnjëri prej tyre nuk është i pandehur, por persona nën hetim”, tha Manjani.