Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zbuloi sot prioritetet e Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe për një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Pas muajit qershor të vitit 2022, e cila do të shihte edhe Presidencën e parë shqiptare në Këshill, Shqipëria do të kthehet në krye të këtij organi ndërkombëtar të sigurisë dhe paqes më 1 shtator.
“Marrja e Presidencës vjen në një moment të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash serioze. Presidenca e KS na jep mundësinë të përcaktojmë se cilat situata krizash marrin vëmendjen e posaçme të KS-së”, u shpreh fillimisht kryediplomatja shqiptare.
Sipas saj, Shqipëria ka akumuluar gjatë 20 muajve të fundit një eksperience të vyer në tryezën e KS-së.
“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë, në kohë krizash. Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, theksoi ndër të tjera Xhaçka.
Shefja e diplomacisë shqiptare vërejti se ideja e parë është pritur mjaft mirë dhe ka gjetur mbështetje nga aktorë e grupe interesi.
Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të, kjo është një nga çështjet që ka shënjuar mandatin tonë, tha ministrja e MEPJ-së.
Në përmbyllje, ajo u angazhua se diplomacia shqiptare do të organizojë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në KS, e cila do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.