Aktualitet Zbardhet vdekja e 56-vjeçarit në Selenicë: I biri i vendosi tritol te...

Zbardhet vdekja e 56-vjeçarit në Selenicë: I biri i vendosi tritol te soba me gaz

Ngjarja që ditën e djeshme u raportua si aksidentale, rezulton të jetë një krim brenda familjes. Policia e Vlorës deklaroi sot se 56-vjeçari i cili humbi jetën dje në Gjorm të Selenicës prej shpërthimit të një lënde plasëse është vrarë nga djali i tij Mato Gllucaj 23 vjeç.

Mësohet se i riu e ka vënë lëndën plasëse në sobën me gaz në oborrin e banesës së tyre, duke i shkaktuar kështu vdekjen babait të tij. Dyshohet se shkak për krimin e rëndë është bërë dhuna e vazhdueshme e të ndjerit ndaj djalit.

“Bazuar në provat e siguruara dhe në veprimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme.  Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi M. G., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit që humbi jetën nga shpërthimi në territorin e jashtëm të banesës së tij. 23-vjeçari dyshohet se për shkak  të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.