Me statusin e miratuar ditën e sotme nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nuk është më kryetar grupi. Ky i fundit nuk i ka kursyer një përgjigje për Bashën, dikur aleatë të ngushtë dhe e sot kundërshtarë. Bardhi ka zgjedhur që t’i përgjigjet Bashës me një citim nga Fjodor Dostojevski.
“Të jetosh në deziluzion, është fatkeqësi personale. Të mashtrosh me vetëdije të tjerët dhe mbi të gjitha veten, për të disatën herë, është e pafalshme”, shkruan Bardhi.
Reagimi i Bardhit erdhi pas Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi ndryshimet në statutin e ri të partisë.
Kështu, kryetari Lulzim Basha do të jetë edhe kreu i Grupit Parlamentar, kur kjo parti të jetë në opozitë.
Në nenin 48, parashikohet dhe mundësia e delegimit të këtij posti, por gjithmonë me pëlqimin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Kur PD është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave. Kur PD nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar.
Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar.
Një tjetër ndryshim statutor që u miratua është përjashtimi nga anëtarësia e atyre që kanë kandiduar për subjekte të tjera. Pra të gjithë kandidatët e Sali Berishës të cilët në zgjedhjet e 14 majit kandiduan me Partinë e Lirisë me logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.