Sport Spalletti prezantohet si trajner i Italisë: Dua të shoh të festojnë mijëra...

Spalletti prezantohet si trajner i Italisë: Dua të shoh të festojnë mijëra fëmijë

Pas polemikave të shumta, erdhi momenti i prezantimit të Spalletti-t si trajner i kombëtares italiane. Ai ka dalë në një konferencë shtypi të organizuar nga Federata Italiane e futbollit.

“Është emocion i papërshkruar të jem këtu dhe një përgjegjësi shumë e madhe, – ka theksuar Spalletti në fillim. – Kërkoj lumturinë me uniformën ‘axurre’ dhe për ta bërë këtë duhet t’i bëj të gjithë të lumtur. Klauzola me Napolin? Asgjë nuk më bën të ndryshoj idenë se kam marrë vendimin korrekt. Shpresoj për një zgjidhje që të jetë mirë për të gjithë”.

Spalletti foli pastaj për detyrën e re: “Kam kaluar shumë kohë në Koverçiano, në Universitetin e futbollit, por të jem si trajner i Italisë është një ëndërr e hershme. Shpresoj që të mbaj me krenari flamurin italian dhe të bëj të festojnë mijëra fëmijë që shohin Italinë.

Duhet të luajmë ndeshje të rëndësishme dhe kemi nevojë për eksperiencë ndërkombëtare. Nuk dua numër të lartë futbollistësh, sepse do të më vijë keq të lë dikë në tribunë. Tani duhet parë minutazhi si përparësi, sepse është ndryshe tani dhe ndryshe në dhjetor. Jorginhon dhe Verrattin nuk i kam thirrur, sepse nuk kanë luajtur. Nuk ka rëndësi emri, e rëndësishme është ajo që ndodh.

Nuk ka shumë lojtarë nga Seria A, përqindja nuk është e mirë, duhet të shkojmë të marrim atë çfarë gjejmë në vende të tjera, por duhet ta rrisim futbollin tonë. Nga Mancini po trashëgoj një skuadër të mirë, ka fituar Europianin dhe ka rekord pathyeshmërie.

Nuk mjafton një lider në skuadër, ka kombëtare me lojtarë të rëndësishëm. Në futboll kanë rëndësi presioni dhe ndërtimi, pjesa tjetër vjen vetë si pasojë. Për sulmin kam zgjedhur Raspadorin, Immobilen dhe Reteguin”, – ka thënë mes të tjerash trajneri Spalletti.