Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar një mbledhje urgjente të kryesisë sonte në orën 20.00. Thirrja e Kryesisë nga Basha vjen pas deklaratës së Gazment Bardhit i cili ftoi grupin parlamentar të PD në një mbledhje gjithëpërfshirëse ditën e martë në orën 12.00.
Gazment Bardhi ka thirrur në një takim të gjithë deputetët e opozitës, përfshirë ata të grupit të Lulzim Bashës dhe të Sali Berishës, si edhe aleatët që kanë dalë nga lista e aleancës PD-AN, me qëllim unifikimin e aksionit opozitar, kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Sipas Bardhit ndasitë në mendime e ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të na heqin vëmendjen nga përgjegjësia ndaj vendit dhe qytetarëve.
“Në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, në nisje të këtij sesioni parlamentar, do të ndërmarr nismën për thirrjen ditën e martë, datë 5 Shtator 2023, të një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit “PD-AN”, pa asnjë përjashtim. Duke besuar se shqetësimi për nevojën urgjente të unifikimit të opozitës bashkëndahet nga çdo deputet që ndien përgjegjësinë për një përballje të unifikuar kundër Edi Ramës, mirëpres pranimin e kësaj thirrje të sinqertë, me qëllimin e mirë të përcaktimit të axhendës dhe strategjisë së përbashkët të të gjithë PD dhe të gjithë opozitës parlamentare”, shkruan Bardhi.
Kjo ftesë e kreut të grupit parlamentar është mirëpritur nga Rithemelimi që drejtohet nga Sali Berisha, i cili pak ditë më parë pohoi negociatat që po zhvilloheshin për të bashkuar grupin parlamentar, duke përjashtuar prerazi nga ky afrim brenda radhëve të demokratëve dy deputetët Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
Mbledhja e përbashkët e deputetëve të koalicionit demokratë vjen përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar që do të mbahet të hënën në orën 10:00, e teksa të shtunën Lulzim Basha përmes ndryshimeve statutore i mori Gazment Bardhit kompetencat e kreut të grupit parlamentar.