Kryesore Vjosa Osmani: Serbia do të na zhdukë nga faqja e dheut! Mos...

Vjosa Osmani: Serbia do të na zhdukë nga faqja e dheut! Mos të lejojmë Vuçiç të vërë në zbatim planin e Putin

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se si asnjëherë më parë, Kosova e pavarur po përballet me sfidën më të madhe, me kërcënime për sigurinë e kombit. Në fjalën e saj, pas takimit me homologun shqiptar, Bajram Begaj, Osmani tha se Serbia, është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut Kosovën.

“Kosova po përballet me sfidimin më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash”, tha Osmani.

Ajo hodhi akuza të forta në drejtim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se në bashkëpunim me Vladimir Putin, duan destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, e për rrjedhojë synon atakimin e vlerave të NATO-s dhe BE-së.

“Serbia ajo që acaron situatën, nëpërmjet sulmeve ndaj Kosovës. Nuk ka javë që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës, duke zbatuar planin që Putin ka zbatuar në 2014 kundër Ukrainës, të dy synojnë destabilizimin e rajonit dhe me anë të kësaj të atakojë vlerat që qëndron NATO dhe BE është më shumë se një zhvillim në rajon. Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, trajnon pjesë të strukturave kriminale në ushtrinë serbe që ato të shkaktojnë problem në veri, intimidon e i sulmon qytetarët serb në veri, pra kjo është një sfidë për të gjithë rajonin, që të gjitha shtet duhet ta trajtojnë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiç në Ballkanin Perëndimor”, shtoi presidentja.

E parë në këtë prizëm, ajo tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët, ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.

“Nuk kam asnjë dyshim që qëllimin e kemi të përbashkët, nëse ndonjëherë kemi ndryshim në strategji, duhet të ulemi si një familje, sepse ne jemi si një familje. Edhe ndonjë moment i vogël kalohet, pa ndonjë problem të madh”, tha Osmani.

Për rrjedhojë, ajo u kujdes që të theksonte se marrëdhëniet Kosovë Shqipëri janë shumë të mira.

Osmani u shpreh se kryefjalë e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

“Shoh mikpritje dhe mbështetje të palëkundur ndaj Kosovës. Kjo mbështetje nuk ka munguar edhe në periudhat më të rënda dhe në periudhën e shtetformimit. Diskutuam për sfidat që na presin, të cilat do të duhet t’i kalojmë së bashku.

Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon. Ne kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ku Kosova nuk ka anëtarësim. Dua ta falënderoj presidentin Begaj për angazhimin e pashoq në arenën ndërkombëtare duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova ta ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar.

Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan 13 marrëveshje në fusha të ndryshme. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje që synojnë lehtësimin e jetesës së qytetarëve në të dyja shtetet”, tha Begaj.