2-0 kundër Monza në inaugurim. Një tjetër 2-0 në Cagliari, në ndeshjen e dytë. Më pas 4-0 kumbues ndaj Fiorentinës, që në praktikë është manifestimi i ambicieve të zikaltërve për titull. Interi është aty, ka tri fitore në po kaq ndeshjet e para të sezonit të ri të Serie A. Një fillim i përsosur i kampionatit, teksa merr “pushimet” (prej kombëtareve) me pikë të plota së bashku me Milanin.
Një dominim total, ai i skuadrës së Simone Inzaghit ndaj atij të Vincenzo Italiano. Lojë e shkëlqyer, agresivitet, kundërsulme të shpejta. Ajo që u pa për shtrirje të mëdha nën drejtimin e ish-trajnerit të Lazios u rikthye në praktikë pasditen e së dielës. Me rezultate për t’i parë të gjithë.
Por nëse vëmendja përqendrohet në mënyrë të pashmangshme tek ata të dy përpara, domethënë Marcus Thuram dhe Lautaro Martinez, ky i fundit i pandalshëm, performanca mbrojtëse e treguar deri në këtë moment është gjithashtu një sensacion. Sepse Interi është i vetmi ekip në Serie A që nuk ka pësuar ende gol në tri ndeshjet e para.
Portieri i ri Sommer, trashëgimtari i Onana, pothuajse nuk është vënë në dyshim në 270 minuta lojë. Jo shumë i zënë kundër Monza, jo shumë i zënë kundër Cagliari, jo shumë i zënë kundër Fiorentinës.
Siç zbulon “Opta”, Interi nuk e kishte një “udhërrëfyes” të ngjashëm prej 57 vitesh. Hera e fundit që zikaltrit arritën të fitonin tri ndeshjet e para të kampionatit, pa pësuar gol, ishte në sezonin 1966/67.
Ishte Interi i Madh i Helenio Herrera, që fitoi 4-0 në ndeshjen e parë në Foggia, në ndeshjen e dytë 2-0 në shtëpi kundër Lanerossi Vicenza dhe në ndeshjen e tretë 5-0 në Bergamo kundër Atalantës. Seria do të ndërpritej në ndeshjen e katërt ndaj Lecco (2-1). Për rekord, ai kampionat, pavarësisht se Interi kishte arritur të fitonte shtatë ndeshjet e para, i shkoi Juventusit (49 pikë kundrejt 48 të zikaltërve).
Në pritje për të kuptuar nëse i riu Pavard do të jetë në gjendje t’i vjedhë vendin e titullarit të garantuarit Matteo Darmian dhe për rrjedhojë kush do të marrë në të vërtetë fanellën e trashëgimtarit të Milan Skriniar, duhet të rizbulohet një element që ka zënë vendin e pasëm në sezonet e fundit: Stefan De Vrij.
Holandezi ka qenë gjithmonë i mbrojturi i Inzaghit, që nga koha e tij te Lazio. Trajneri kishte zgjedhje të parë sllovakun Skriniar, por në sezonin e fundit preferoi t’i besonte edhe ish-bardhekaltrit tjetër, Acerbi. Jo pa polemika nga vetë De Vrij, lamtumira e të cilit në fund të kontratës, në një moment të caktuar dukej e sigurt.
Dhe në vend të kësaj, papritur, gjithçka u kthye përmbys. De Vrij ka rinovuar, është vënë në dispozicion, po përfiton nga problemet muskulare të shokut të skuadrës për të shtuar dilemat në kokën e Inzaghit. Ai meriton një pjesë të konsiderueshme të meritave në këtë start të kampionatit me portë të paprekur.
“Tri ndeshje pa gol janë një shenjë e mirë, – tha Simone Inzaghi në konferencën për shtyp, pas ndeshjes. – Deri në këtë moment kemi punuar shumë mirë. Fillimi ishte perfekt, duhet të vazhdojmë me këtë motivim”.
Hapat e ardhshëm? Ndërkohë, pushim për kombëtaret. Dhe më pas, mbi të gjitha, derbi kundër Milanit, të shtunën e 16 shtatorit. Dy liderët kundër njëri-tjetrit, një mënyrë e bukur për të eksploruar ambiciet dhe dëshirat për të përmbysur dominimin e Napolit.