Kryeministri Edi Rama, në Asamblenë e Partisë Socialiste, iu kthye çështjes së Fredi Belerit duke përsëritur se ajo është ekskluzivisht e drejtësisë, ndërsa ka pasur edhe një mesazh edhe për “shqipfolësit” që iu fryjnë në vesh grekëve.
“Sa herë të bëhet fjalë për aktivitetin e këtyre organeve dhe sidomos të SPAK-ut, kështu që ndjesë për bezdinë që vijon, shikojeni me kujdes se çfarë po diskutohet mes nesh dhe Greqisë, apo se çfarë pala greke po kërkon prej nesh, prej qeverisë, prej mua personalisht.
Pse ndodh kjo dhe si ka mundësi? Siç shprehen ata vullneti ynë politik duhet ta zgjidhë siç e mendojnë ata një çështje për të cilën këto organe të reja të drejtësisë i kanë marrë veprimet e tyre dhe kanë marrë vendimet e tyre pavarësisht nga ne dhe ata po se po. Nuk dua të përsëris se çfarë kam thënë publikisht për çështjen. Nuk kemi asnjë debat real me palën greke për thelbin e çështjes. E nisa këtu sepse kjo qasje e palës greke tregon në fakt se raporti i ri i përmbysur kokë e këmbë i pushtetit tonë politik me drejtësinë po kalon përmes një sprove shumë të fortë.
Qasja jonë është radikalisht e re në historinë e pushtetit politik në Shqipëri. Për të mos u përzier as me gojë e as me dorë në punën e organeve të drejtësisë, por për t’i mbështetur dhe inkurajuar ato pa kushte në veprimtarinë e tyre agresive kundër korrupsionit, krimit të organizuar po se po, është një qasje që bie ndesh me inercinë e tmerrshme të një historie 111-vjeçare. 111 vjet ajo histori i ka mësuar njerëzit brez pas brezi të mendojnë se pushteti politik e tërheq për hunde atë gjyqësor.
Madje, madje, sipas këtij mësimi të vjetër ky i fundit (kryeministri) fishkëllen penalltinë e shkeljes së ligjit dhe sipas interesit të skuadrës dhe interesit të vet e gjuan vetë penalltinë. Ndërsa popullit, shtetit, qytetarit, s’ka problem sepse sipas këtij mësimi të vjetër të trashëguar në mendjen e njerëzve dhe shumëkujt këtu brez pas brezi, i takojnë fjalët e bukura, për barazinë, demokracinë, drejtësinë e pavarur e me radhë, bla bla bla.
Shkurt muhabeti mësimi është bëni si themi ne, por mos bëni si bëjmë ne. Kështu mendojnë edhe ata që u fryjnë në vesh fqinjëve grekë nga larg dhe nga afër, qoftë politikanë nga foltore dinjiteti, apo mikrofonë minoriteti, analistë me sy të skuqur apo laps të mprehtë, ekspertë ligjorë me zërin në xhep, apo pijanecë me atdheun në gotë dhe padiskutim dhe avokatë të deklaruar dhe padeklaruar të një të arrestuari në flagrancë për blerje votash të cilit i kanë marrë në administrim edhe faqen në Facebook ku postojnë për hesap të tyre letra të tij nga qelia. Kjo është risi më vete në historinë e paraburgimit në Shqipëri dhe shkruajnë se ai ndihet si thoi i një luani”, u shpreh Rama.