Një aksident i trefishtë ndodhi mbrëmjen e kësaj të marte në rrugën “Bardhyl”, në Tiranë.
Policia bën të ditur se në aksident u përfshinë një autobus i linjës së Unazës dhe dy makina. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa sipas policisë shkak për ngjarjen është bërë parakalimi i gabuar i njërit prej automjeteve, shoferi i të cilit ka përplasur autobusin dhe një makinë të parkuar.
Makina e cila kreu parakalimin e gabuar ka përfunduar jashtë rruge dhe është përplasur me një pemë, ndërsa dëmtime ka marrë edhe mjeti tjetër.
“Më datë 05.09.2023, në Rrugën Bardhyl, shtetasi R. M., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka kryer parakalim të gabuar dhe është përplasur me një automjet të parkuar dhe me autobusin e linjës së Unazës, me drejtues shtetasin B. K. Si pasojë e përplasjes ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.