Bota Falimenton Birmingham, qyteti i dytë më i madh pas Londrës në Britaninë...

Falimenton Birmingham, qyteti i dytë më i madh pas Londrës në Britaninë e Madhe

Këshilli i qytetit britanik të Birmingham ka shpallur falimentin. Një ndër autoritetet lokale më të mëdha në Europë, ka deklaruar të martën se nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet financiare të administratës.

Qyteti i dytë më i madh pas Londrës, me mbi një milion banorë, deklaroi se ka pasur vështirësi financiare të paprecedenta.

Borxhi që e ka çuar entin në krizë, sipas këshillit ishte një llogari historike për pagesa të pabarabarta.

Një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2012 vendosi se qindra gra ishin diskriminuar në shpërblimet e dhëna krahasuar me homologët e tyre meshkuj. Këshilli tashmë ka paguar afërsisht 1.1 miliardë paund, por në qershor një faturë shtesë e zbuluar prej 760 milionë paund rëndon në kapacitetin e buxhetit të këshillit.

Administrata lokalë në të gjithë Britaninë është përballur me vështirësi financiare për shkak të shtimit të kërkesës për asistencë nga ana e qytetarëve. Gjithashtu, efekte negative në buxhet ka pasur dhe reduktimi i përgjithshëm i të ardhurave, si dhe vala e inflacionit.

Sipas autoriteteve, pritet që borxhi i akumuluar të rritet deri ne 2 miliardë paund. Ndërkohë që në korrik, zyrtarë të financave britanike thanë se po luftojnë për të përmbushur kërkesat gjithnjë e në rritje për shërbime bazë të detyruara me ligj nga autoritet lokale.

Vetëm këshilli i bashkisë së Birmingham duhet të përballet me një deficit në bilanc prej 95 milionë paund, shifër që pritet të rritet deri në 165 milionë në 2025. Këshilli deklaroi se pas kontrolleve të imtësishme mbi bilancet e korrikut, shpallja e falimentit ishte një hap i pashmangshëm.

Si masë e parë u vendos shkurtimi i shpenzimeve për të gjitha shërbimet, përveç atyre thelbësore. Gjithashtu, pritet që qeveria britanike të ndërhyjë për të stabilizuar situatën financiare.