Politika “Farsë elektorale”, Berisha paraqet ‘librin e zi’: Siguria e qytetarëve shqiptarë kontrollohet...

“Farsë elektorale”, Berisha paraqet ‘librin e zi’: Siguria e qytetarëve shqiptarë kontrollohet nga krimi

Rithemelimi nën kujdesin e kryetarit Sali Berisha, ka finalizuar databazën e asaj që e ka quajtur “manipulimi i zgjedhjeve 14 Maj 2023”, të cilën e ka përmbledhur në një libër në gjuhën angleze me titull “The electoral farce of May 14, 2023 In Albania”).

Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka quajtur “libri i zi i zgjedhjeve”, teksa ka shtuar se Shqipëria noton mbi krimin dhe se siguria e qytetarëve kontrollohet nga krimi.

Sali Berisha: Sot ne jemi këtu në një akt të veçantë në 32 vite. Paraqesim para publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar, librin e zi, kushtuar farsës elektorale të 14 Maji 2023.  Pse libër i zi? Shqipëria sot karakterizohet nga fenomene, dukuri nga më të zezat në historinë e saj. E para dhe më e zeza është braktisja masive e këtij vendi. Mjafton të kujtojmë këtu se këtë verë vendi pati dyndjen, ndofta më të madhe turistike nga jashtë, por 60% e shqiptarëve, sipas statistikave më të besueshme nuk ishin në gjendje të pushonin 7 ditë gjatë kësaj vere.

E lidh këtë sepse një e zezë tjetër e madhe që i detyron shqiptarët të largohen është skamja, varfëria e frikshme. Shqipëria një vend në të cilin polarizimi rritet me shpejtësinë më të madhe se kudo dhe dy herë më të madhe se kudo. Shqipëria të themi të vërtetën, nëse lexon arkivën e krimit të këtij vendi, për tragjedinë më të madhe, noton mbi krimin. Siguria e qytetarëve shqiptarë, e pronave, e veprimtarisë, jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre, sot më shumë se kurrë varet dhe kontrollohet nga krimi.

Kjo shoqëri, vegjeton, jeton, fle mbi krimin, zgjohet mbi krimin. Po pse të gjitha këto. Të gjitha këto kanë një raport fatal në themel dhe ky raport fatal është se krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Kurrë kjo nuk mund të ndodhte ndryshe.