Aktualitet Kthehej nga Dubai, arrestohet në Rinas avokati që pagoi 120 mijë euro...

Kthehej nga Dubai, arrestohet në Rinas avokati që pagoi 120 mijë euro Nuredin Dumanin për të vrarë ish-gruan

Avokati Alban Bengasi, i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”, është arrestuar në aeroportin e Rinasit teksa po tentonte të hynte në Shqipëri pasi u kthye nga Dubai.

Ndaj Alban Bengasit ka masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Emri i avokatit Alban Bengasi është përmendur nga vrasësi me pagesë, tashmë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani.

Në dëshmitë e dhëna para hetuesve disa muaj më parë, kur zbardhi edhe një mori vrasjesh, Nuredin Dumani deklaroi se Alban Bengasi kishte ofruar 120 mijë euro për të vrarë gruan e tij.

Por Dumani nuk e kishte pranuar, duke thënë se “nuk i pëlqente të rrihte gra”, prandaj këtë porosi ua kaloi Eljo Bitrit dhe një djali tjetër për të cilin thotë se nuk i kujtohet kush ishte.

Pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë Blerta Bengasi (Ruçin), Eljo Bitri e ka qëlluar atë me grushte në fytyrë deri sa i ka dalë gjak. Pas kryerjes së porosisë, Dumani takon avokatin për t’i marrë paratë, por ky i fundit ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer as krah dhe as këmbë dhe prandaj i kishte kërkuar që ta vriste.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,  ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.