Fredi Beleri vijon betejën për liri në Gjykatën e Lartë. Së fundmi në këtë gjykatë janë regjistruar dy rekurse të Belerit.
Në një prej tyre kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkon vlerësimin e paligjshëm të arrestit në flagrancë.
Në rekursin tjetër, Beleri kërkon vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Prokurorisë së Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar.
Fredi Beleri ndodhet në burg, i arrestuar për “korrupsion në zgjedhje” , për rrjedhojë nuk mund të betohet si kryebashkiak dhe rrezikon të humbasë mandatin e fituar në 14 maj. Kjo ka sjellë reagime të ashpra mes Athinës zyrtare dhe Shqipërisë. Pak ditë më parë, Partitë Popullore Europiane miratuan rezolutën që kërkon lirimin e Belerit, vendim ky që solli edhe reagimin e kreut të qeverisë, Edi Rama. Ky i fundit, tha se kjo çështje i përket vetëm drejtësisë shqiptare.