Ka nisur puna për ndriçimin e kalasë mesjetare të Lezhës. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, që shprehet se ndriçimi i mureve të jashtme dhe i objekteve të brendshme me vlera arkitektonike, si dhe hyrja e kalasë, dëshmi e ngjarjeve të rëndësishme historike do rifitojnë madhështinë dhe rëndësinë historike të këtij fortifikimi.
“Projekti parashikon rizhvillimin energjitik dhe artistik me vëmendje të veçantë në elementet identifikuese të kalasë së Lezhës, duke rritur atraktivitetin turistik të zonës. Ky projekt do të përdorë teknologjinë e ndriçimit LED, duke përfshirë sisteme të automatizuara për të ndriçuar kalanë në mënyrë efikase. Kalaja e Lezhës do jetë fortifikimi i radhës, që do ndriçohet pas asaj të Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës”, thuhet në faqen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, që ka ndarë dhe disa foto të kalasë.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër kjo ndërhyrje vjen falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës.
“Ashtu si në kalanë e Gjirokastrës, Beratit e Shkodrës, të cilave u janë shtuar edhe më shumë vlerat pas realizimit të projektit të ndriçimit, ka nisur puna edhe në kalanë mesjetare të Lezhës. Ndriçimi i mureve të jashtme, i objekteve të brendshme me vlera arkitektonike, por edhe hyrjes së kalasë, dëshmitare e ngjarjeve të rëndësishme historike do të rifitojnë madhështinë dhe vëmendjen që meriton ky monument me vlera të rralla”, shkruan edhe ministrja Margariti në rrjetet sociale.
Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX-të, duke marrë kështu karakterin e një qendre qytetare. Ajo është rindërtuar disa herë, duke filluar që nga shek. III-të para Krishtit nga Mbretëria Ilire, Bizantinët pas djegies nga inkursionet sllave të vitit 592, nga Dukagjinët vendas pasi u dogj aksidentalisht në vitin 1398, Venedikasit gjatë viteve 1440-1451 duke marrë edhe formën që ka sot.
Sot në kalanë e Lezhës mund të shihet, përveç peizazhit të bukur e relaksues, edhe teknikat dhe fazat e ndryshme të ndërtimit mijëravjeçar të vendosura sipër njëra-tjetrës, si dhe një sipërfaqe rreth 1.5 ha me ambiente çlodhëse.