Një aksident i rëndë i ka marrë jetën tragjikisht një 16-vjeçari shqiptar në Itali. Gabriel Alibeaj kishte dalë me shokët mbrëmjen e së martës (6 shtator), por gjithçka u kthye në një tragjedi.
Mediat italiane bëjnë me dije se, ai kishte qenë bashkë me dy shokë në Villafranca di Verona, duke qeshur e duke bërë shaka, sigurisht që duhet të kenë folur për fillimin e afërt të shkollës. Për pak ditë do të fillonte vitin e tretë të gjimnazit.
Ajo që duhet të ishte një mbrëmje me miq si çdo tjetër, fatkeqësisht u shndërrua në tragjedi, pikërisht në momentin e kthimit për në shtëpi.
Teksa po ktheheshin me një triçikël, Gabrieli dhe shoku i tij Xhibrili ranë në tokë. Ata u dërguan menjëherë në spital me helikopter ku u shtruan në gjendje të rëndë. Dje kishte shpresa të forta se do të zgjohej.
Ishte i ati i Gabrielit që përmes faqes së tij në Facebook u kërkoi miqve dhe të njohurve një lutje që djali i tij të zgjohej.
“Ju falënderoj të gjithëve për lutjet tuaja, tani lutemi për shpirtin e tij. Gabriel nuk ia doli. Luftoi si luan, i mbështetur nga familja dhe lutjet e miqve, por nuk u zgjua. Në dhimbjen më të thellë la të atin, Altinin, nënën Imeldën dhe motrën e vogël Chiara, të cilat e donin shumë”, shkroi babai i Grabrielit.