Sport Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030. Vjosa Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm

Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030. Vjosa Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm

Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Këtë e ka vendosur Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e cila është mbajtur në Heraklion të Greqisë.

Kandidatura e Kosovës ka marrë 55 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ndërsa tetë vota kanë qenë kundër dhe tri abstenime.

Për shtetin e Kosovës, kjo është një arritje tejet e madhe, pasi që në këtë kompeticion do të marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, dhe priten që të marrin pjesë rreth 5 mijë sportistë.

Kandidatura e Kosovës u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.

Këtë lajm, kryeministri Kurti, e ka konsideruar “arritje e jashtëzakonshme”, teksa i ka uruar të gjithë qytetarët.

“Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar!”, e ka konsideruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që Kosova të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.

“Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!”.