Një dëshmitar okular ka folur për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 41-vjeçar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës.
Sipas tij, viktima, Laert Koka, ishte goditur fillimisht nga mjeti i autorëve, ndërsa më pas njëri prej tyre zbriti nga makina dhe e qëlloi me breshëri, sipas dëshmitarit, në kokë dhe jo vetëm tre-katër plumba.
Më pas, sipas tij, mjeti i autorëve afrohet duke ecur mbrapsht dhe merr ekzekutorin e më pas largohen në drejtim të paditur.
“Asnjë nga ju nuk e ka kuptuar dinamikën. Ai që u vra ia futi vrapit në këmbë nga serviset deri te banka, aty tentoi të kalonte rrugën. Aty “Audi” po të shikosh në video e hedh si leckë te shkallët e furrës. Duket në video. “Audi” ndaloi te kryqëzimi, zbriti personi, një person i vetëm me “M5”, jo kallash, me silenciator, i vajti te koka, ia zbrazi tre katër herë. “Audi” bën mbrapa me derën hapur për ta marr këtë gjuajtësin. I ka zbrazur dy-tre breshëri në kokë, jo tre-katër plumba”, tha dëshmitari okular për A2CNN.
Mesa shihet në video, urdhri ishte që Keka të ishte i vdekur, për pasojë, atentatorët janë kthyer pas me makinë dhe e kanë qëlluar dhe 4 herë të tjera në kokë, duke i marrë jetën në vend. E gjithë skena është kapur nga kamerat e sigurisë në zonë, e ndërsa është e vështirë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 30 gëzhoja, të cilat janë kryesisht të armës së zjarrit kallashnikov. 6 prej plumbave e kanë kapur 41-vjeçarin në trup, këmbë dhe kokë. Në vend ngjarje janë gjetur edhe gëzhoja pistolete çka tregon se ka patur shkëmbim zjarri.
Viktima ka qenë një person me precedent penal, pasi ishte dënuar më herët me 10 vite burg për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, pak orë pas ngjarjes, policia ka gjetur dhe një automjet të djegur që mendohet se është përdorur nga autorët për të kryer ekzekutimin. Makina e djegur tip Audi është gjendur në zonën e quajtur “Kotë- Sevaster”, ku autorët e kanë lënë në rrugë dhe janë larguar me shpejtësi për t’u fshehur.
Deri më tani janë të paqarta shkaqet që çuan deri në ekzekutimin e tij, e ndërsa nuk ka asnjë autor të dyshuar që është ndaluar nga Policia.