Trajneri Sylvinho e ndan fitoren ndaj Poloninë me tifozerinë kuqezi, të cilët e falënderon për mbështetjen fantastike dhe ambientin e krijuar. Tekniku brazilian analizon fillimin e vështirë dhe mënyrën si arriti të dërgojë skuadrën te fitorja.
Çfarë i keni bërë kësaj skuadre, që arrin të ngrejë në peshë zemrat e gjithë shqiptarëve?
Dua t’u bëj një kompliment të gjithë tifozëve që kishim sot në stadium, që ishin të mrekullueshëm. Krijuan një ambient të jashtëzakonshëm, duke na ndihmuar shumë të gjithëve ne, ndaj kjo është një fitore e të gjithë popullit shqiptar. Ishte shumë e rëndësishme të mos humbnim dhe për fat ia dolëm, por duhet të vijojmë të bëjmë kujdes, pasi tani kemi edhe Moldavinë nga mbrapa. E dinim historinë e kundërshtarit, por mendoj që e kemi merituar fitoren sot.
Vuajtëm pak në fillim, por goli i anuluar i tyre na zgjoi…
Ishim vendosur mirë në fushë, por na mungonte një pasim i fundit përpara. Më pas e morëm veten mirë dhe bëmë një ndeshje shumë të mirë, me shumë zemër dhe shumë shpirt në fushë.
Mitaj dhe Hysaj thuajse nuk u panë asnjëherë të dalin në fundore. Nuk ia dolën apo ishte këshilla juaj?
Jo, nuk ia dolën. Si Hysaj, edhe Mitaj, nuk kishin mundësi të shkonim shumë përpara, pasi kishin përballë lojtarë shumë të fortë, që nëse u lë hapësira, të vrasin.
Polonia në bëri një presing të lartë. Si do ta zgjidhnit këtë problem, nëse nuk do të kishim shënuar të supergol me Asanin?
Ndeshja zgjidhet për 90 minuta. Në fillim nuk ishte një moment i mirë për ne, por e morëm veten shpejt. Ata na vunë në vështirësi, por me disa ndryshime, morëm më shumë hapësirë. Ata bënë presin të lartë, por ishin të paqartë në finalizim, në pasimet finale.
Një skuadër cinike, që fiton edhe kur nuk krijon shumë…
Ne punojmë shumë në pjesën e organizmit, por pas kësaj qëndron cilësia e lartë e futbollistëve. Kemi lojtarë të shpejtë, të fortë, që shënojnë si Barjami, Cikalleshi, Uzuni, Muçi, Bajrami, etj., etj. Janë lojtarë që bëjnë tranzicion shumë të shpejtë dhe janë të aftë të shënojnë gola.
“Goli nuk hyn asnjëherë rastësisht në rrjetë”, ka thënë dikur ish presidenti i Barcelonës…
E di mirë atë shprehje dhe pas kaq shumë vitesh në futboll, jam plotësisht i bindur që ka të drejtë. Lojtarët hyjnë me dëshirë në fushë dhe janë të gjithë bashkë. Ne menaxhojmë grupin dhe ata janë gjithmonë gati për të dhënë maksimumin, topi hyn në këto momente se ne jemi të gjithë një.
A do të jetë e vështirë t’i gjesh vend edhe Brojës në tetor?
Është një futbollist i madh dhe shpresojmë ta kemi shumë shpejt në skuadër. Është një dëmtim i rëndë, që kërkon 9 muaj rikuperim. Do të shkojmë në Londër ta ndjekim dhe të flasim me të. Nëse do të jetë në gjendje, atëherë nuk e kemi problem t’i gjejmë vend. Por nuk do të nxitohemi dhe duhet të tregojmë kujdes.
Çfarë u the lojtarëve në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes?
U thashë se sot është dita jo vetëm e tyre, por e të gjithë shqiptarëve, të gjithë duhet të fitojmë. Ne kemi një skuadër të fortë dhe kemi fituar, sepse e kemi merituar. Por në fund u thashë që nuk ka përfunduar asgjë. Është një grup i vështirë dhe ka akoma shumë momente të vështira. Na presin edhe tre finale dhe duhet ta trajtojmë çdo ndeshje me rëndësinë maksimale.