Bota Tërmeti në Marok/ Rrëfimi prekës: M’u desh të zgjidhja mes shpëtimit të...

Tërmeti në Marok/ Rrëfimi prekës: M’u desh të zgjidhja mes shpëtimit të prindërve ose të djalit tim

Jeta e ka përballur Tayeb ait Ighenbaz, një bari në zonën e Atlasit, që të merrte një nga vendimet më të vështira në jetën e tij… të shpëtonte prindërit apo djalin 11-vjeçar. Mbrëmjen e së premtes kur ajo lëkundje tragjike u regjistrua, ai pa nën rrënoja prindërit dhe të birit.

“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kur ndodhi tërmeti, ne të gjithë vrapuam te dera. Babai im ishte duke fjetur dhe unë i bërtita mamasë sime të vinte, por ajo qëndroi prapa për ta pritur atë”, kujton ai.

Nga ana tjetër, Ighenbaz mund të shihte vetëm gruan dhe vajzën e tij teksa dilnin nga shtëpia.

Teksa kthehej në ndërtesën e shkatërruar, Tayeb gjeti djalin dhe prindërit e tij të bllokuar nën rrënoja. Ai mund të shihte dorën e djalit që po kërkonte ndihmë.

Ai e dinte se duhej të vepronte shpejt dhe u drejtua në drejtim të djalit, Adamit, duke gërmuar në mënyrë të dëshpëruar nëpër rrënoja për ta nxjerrë jashtë.

Kur iu drejtua prindërve, të bllokuar nën një pllakë të madhe guri, ishte tepër vonë.

“Më duhej të zgjidhja mes prindërve dhe djalit”, thotë ai me lot në sy.

“Unë nuk mund t’i ndihmoja prindërit e mi sepse muri ra mbi trupave e tyre. Është shumë e trishtueshme. Pashë prindërit e mi duke vdekur.”

Tayeb tregon njollat ​​në xhinset e tij, duke thënë se ky është gjaku i prindërve të tij. Tërmeti i ka marrë gjithçka, e tashmë nuk ka asnjë rrobë për t’u ndërruar, por vijon prej ditësh të marrë me veten gjakun e prindërve.