“Pa një vizion politik, Europa i përket burokratëve, duhet një epokë e re në të cilën duhet një logjikë që të çon në bipolarizëm edhe në Kontinentin e Vjetër”.
Kështu deklaron kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një libër me intervista me titull “Versioni i Giorgia-s”, ku bisedon me gazetarin e njohur Alessandro Sallusti.
Në intervista ajo trajton sfidat e së tashmes, nga lufta në Ukrainë te kriza energjetike, nga tranzicioni ekologjik tek inflacioni, nga projekti Mattei për Afrikën te sfidat që do të duhet të karakterizojë Bashkimin e ri Evropian. Disa fragmente nga libri u publikuan nga disa gazeta të njohura në Itali, si “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “il Messaggero” dhe “Il Giornale”.
Meloni vlerëson punën e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen me fjalët: “Ajo punon shumë, di të dëgjojë, nuk është e vështirë të bashkëpunosh me të”.
“Edhe nëse negociatat politike për çështje të ndryshme në nivel komuniteti nuk janë gjithmonë të thjeshta. Prandaj nevojitet një qasje e re për të tejkaluar Evropën e burokratëve”, vë në dukje kryeministrja në libër.
Lidhur me faktin që Italia po udhëhiqet tanimë nga konservatorët, Meloni thotë se “ky është një fakt domethënës për të gjithë unionin” që mund të nxisë një rrugë të re përpara.
Ajo shton se “nëse demonstrojmë, siç po bëjmë, se një qeveri e krahut të djathtë mund të ekzistojë në një demokraci të rëndësishme evropiane”.
Në libër kryeministrja flet edhe për planin për Afrikën, projektin Mattei, i cili duhet të bëhet model bashkëpunimi. Ajo përmend sakaq paktin me qytetarët për të luftuar evazionin fiskal me moton “më pak taksa e më shumë shërbime’”.
“Vendi duhet të perceptojë një sistem taksash më të drejtë dhe një qeveri që përpiqet shumë”, shpjegon ajo, duke shtuar megjithatë se udhëheqja e një ekzekutivi do të thotë gjithashtu “të bësh zgjedhje që jo të gjithë i kuptojnë menjëherë”.
Një tjetër nga temat e prekura në librin me intervista, është ajo e reformave. Kryetarja e qeverisë vë bast se do të kryhen të gjitha reformat. “Ndryshimet tona në Kushtetutë do t’u japin më shumë pushtet qytetarëve”, thekson ajo.