Sport Gjesti i rrallë i portierit Szczesny kur pësoi golin nga Daku, që...

Gjesti i rrallë i portierit Szczesny kur pësoi golin nga Daku, që shqiptarët duhet ta vlerësojnë (VIDEO)

Shezni dhe Cikalleshi gjate ndeshjes

Fitorja e fundit e Shqipërisë përballë Polonisë, skuadrës me emrin më të madh në letër të këtij grupi, ka ngritur entuziazmin mes kuqezinjve.

Nga një anë suksesi na afron me objektivin e kualifikimit në Euro 2024 dhe nga ana tjetër, një shfryrje kundër ekipit polak, ndaj të cilit kishim 70 vite pa fitore.

Ndonëse regjistronim 14 ndeshje, të vetmen fitore ndaj tyre e kishim arritur në një takim miqësor në vitin 1953.

Por në futboll nuk ka ‘armiqësi’, të paktën në këtë lojë përballja me një ekip, pavarësisht nga bilancet negative, të bëjnë thjesht rival.

Në ditët e sotme rivaliteti shpesh kërkon “fair play”, apo përkthyer fjalë për fjalë “lojë të ndershme”. Kjo, edhe pse i njëjti term përdoret edhe për korrektësinë ndaj kundërshtarit, deri në respekt ndaj tij, apo si në këtë rast, respekt ndaj simbolit dhe uniformës së tij.

Ishte momenti i golit të Mirlind Dakut, një minutë nga aktivizimi i tij në fushën e lojës. Goli i parë kuqezi që shpërtheu stadiumin dhe i “vuri vulën” edhe kësaj fitoreje të rëndësishme. Të gjithë vrapuan pas autorit të golit, Dakut, i cili hoqi fanellën nga gëzimi pas golit, duke e hedhur atë në fushë për të festuar me shokët e tij të ekipit përpara tifozerisë kuqezi… Dhe në këto pamje fanella kuqezi e Mirlind Dakut, kaloi në duart Wojciech Szczesny.

Portieri polak, i cili donte t’ia jepte sërish atij dhe më pas nuk i prishi festën, por ia dha Hysajt që t’ia jepte… si ndër të paktët që njihte edhe nga Seria A, ku ai aktivizohet në radhët e Juventusit.

Një gjest “fair play” dhe respekti i rrallë nga një emër i njohur në arenën ndërkombëtare të futbollit. Por pak rëndësi ka emri, është një gjest që shpesh mungon, aq më tepër kur sapo je ndëshkuar.

Ajo që ndodhi është vërtet një vlerë njerëzore dhe mbi të gjitha sportive, për t’i dhënë kuptimin e drejtë futbollit, “është thjesht një lojë.”