Bota “Një kulturë korrupsioni”, Kongresi amerikan nis hetimin për shkarkimin e mundshëm të...

“Një kulturë korrupsioni”, Kongresi amerikan nis hetimin për shkarkimin e mundshëm të presidentit Biden

Një javë nga rifillimi i punës së Kongresit pas pushimit veror, politika e Uashingtonit është kthyer në lëvizje dhe, siç pritej, republikanët po përgatiten ta transformojnë vitin para zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2024 në një kalvar për Joe Biden në të paktën tre fronte: ndalimi i fondeve të nevojshme për funksionimin e qeverisë, sabotimi i paketave të reja të ndihmës për Ukrainën (por këtu të djathtët janë të ndarë) dhe mbi të gjitha, fillimi i procedurës së “impeachment” ndaj president demokrat.

Sot është ndërmarrë hapi i parë. Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan do të hapë një hetim zyrtar për shkarkimin e mundshëm të presidentit Joe Biden. Këtë e konfirmoi zyrtari më i lartë i Republikanëve, Kevin McCarthy.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve sqaroi se hetimi do të fokusohet në “dyshimet për abuzim me pushtetin, pengim të punës dhe korrupsion”.

Republikanët kanë hetuar presidentin që kur morën kontrollin e dhomës së ulët të Kongresit në Janar. Por në seancat dëgjimore nuk ka dalë asnjë provë konkrete që vërteton se Biden ka kryer shkelje.

Megjithatë, ata kanë hedhur më shumë dritë në mënyrën se si ka bërë biznes djali i presidentit, Hunter Biden, duke ngritur dyshime të mëdha për shkelje ligjore.

“Këto dyshime nxjerrin në pah një panoramë të një kulture të korrupsionit”, tha McCarthy, duke shtuar se Biden ka qenë në dijeni të aktiviteteve të djalit të tij.

Njoftimi i së martës është hapi i parë në një proces politik që mund të rezultojë në një votim në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse fajësimi i presidentit miratohet me një shumicë të thjeshtë, vendimi kalon në Senatin Amerikan.

Kongresi amerikan ka fuqinë për të shkarkuar nga detyra një president, përmes procesit të njohur ndryshe edhe si “impeachment”, i cili konsiderohet edhe si hapi i fundit ekzekutiv që mund të ndërmerret.

Në historinë e Shteteve të Bashkuara asnjë president nuk është mundur të detyrohet të largohet nga Shtëpia e Bardhë përpara fundit të mandatit, ndërkohë që Richard Nixon ishte i pari që preferoi të dorëhiqej, kur kuptoi se po vinte momenti të përballej me këtë procedurë.