U zhvillua këtë të mërkurë një ceremoni me rastin e nisjes së censit të popullsisë dhe banesave. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ngjarje, u shpreh se mirëpritja e përfaqësuesve të INSTAT për këtë cens është detyrim patriotik.
Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk mohoi krenarinë për legjislacionin e përparuar që ka vendi ynë për minoritetet.
“Jemi në kategorinë e parë. Në legjislacionin e ri për minoritetin e kemi bërë pa na e kërkuar askush. Deshëm të bënim legjislacion optimal, rrezatues dhe për këtë jam shumë krenar. Dhe e dyta jam krenar si trajtohen minoritet në Shqipëri pa asnjë përjashtim dhe asnjë diskriminim”, tha Rama.
Sipas tij, asnjë vend nuk i jep dot leksione Shqipërisë për minoritetet.
“E dimë shumë mirë që ka në çdo aspekt gjëra për të përmirësuar edhe për minoritetet, jetën e tyre, për mirëqenien e tyre, siç ka për të gjitha komunitetet me kombësi shqiptare, por jemi në një pozitë që mund ta themi me plot gojën, leksione për minoritetet Shqipërisë nuk i jep dot askush, asnjë vend, zero”, përfundoi Rama.