Prokuroria e Tiranës ka kërkuar riekspertim mjeko-ligjor për Bilbil dhe Jashar Majën. Dy kushërinjtë Maja u dhunuan nga anëtarë të fisit Rraja.
Prokuroria zbuti akuzën ndaj 9 personave të arrestuar dhe shpallur në kërkim për këtë rast që tronditi opinionin publik. Ndaj dy kushërinjve ishte kryer një ekspertim mjeko-ligjor nga mjeku Elton Serani që ka ekspertuar edhe Xhisiela Malokun në vitin 2018 pas akuzave të saj për dhunë nga Rexhep Rraja.
Hetimet për këtë çështje u regjistruan fillimisht për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, por sipas akt ekspertimit mjeko-ligjor, të administruar nga Prokuroria, dëmtimet e konstatuara në trupin e Jashar dhe Bilbil Majës nuk hyjnë te ato dëmtime që konsiderohen të rënda.
Edhe pse në një akt ekspertimi cili mban datën 24 korrik, disa javë pas ngjarjes, konstatohet që dy të dëmtuarit kanë marrë lëndime, deri në thyerje të kockave, në kriterin mjekësor të parashikuar në ligj, ato klasifikohen në plagosje e lehtë.
Kjo vepër penale parashikon dënimin me gjobë deri në 2 vjet burg.
Për ngjarjen u arrestuan dhe u lanë në burg Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj, si dhe janë ende në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.
Përsa i përket armës që mban në dorë njëri prej anëtarëve të fisit Rraja, prokuroria thotë se nuk mund të ngrejë akuzë pa u arrestuar mbajtësi i saj dhe pa u gjetur arma.