Ekonomi Ndryshon ligji i “basteve”: Hiqet tatimi ndaj lojtarëve, fituesit që s’marrin paratë...

Ndryshon ligji i “basteve”: Hiqet tatimi ndaj lojtarëve, fituesit që s’marrin paratë nga kompania i ‘kompenson’ shteti

Projekt-ligji që rikthen bastet sportive online, i depozituar prej muajit korrik në Parlament ka nisur të shqyrtohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ku ka pwsuar ndryshime.

Prezantuar nga zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, dokumenti i ri ka ndryshime nga ai i publikuar dy herët e para, nisur që nga tatimi. Një ndër pikat që nxiti më shumë debat në projektligjin e parë ishte ajo e tatimit të lojtarëve me 15%, kur ata fitonin para nga bastet online. Tani kjo taksë do të jetë zero, sipas zv.ministres.

Për organizatorët e lojërave online taksa do të jetë 15% e fitimit dhe për kazinotë 25%. Por, krahas detyrimit ligjor, ato do të paguajnë dhe 15% të qarkullimit në fondin e posaçëm, dedikuar projekteve në sport dhe arsim.

Këto projekte do të shqyrtohen dhe miratohen nga një këshill i përbërë nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

Një tjetër ndryshim me rëndësi është ai i ‘kompensimit’ të lojtarëve nga shteti. Projektligji parashikon krijimin e një fondi garancie nga shteti dhe nga organizatori i lojërave të fatit, ku do të bllokohen 120 mln lekë në shtet dhe 50 mln lekë në kompani, për t’u përdorur në rastet kur pronari i një pike refuzon të paguajë lojtarin shumën që ai ka fituar.

Pikat që hapen nën autorizimin e kompanisë së licencuar, do të quhen ‘agjentë financiarë’ që do të kryejnë transaksionet për lojtarin. Ata hapin llogaritë për lojtarët që më pas mbushet nga ato sipas vlerës që do të luhet me numër ID.

Vjero shpjegoi se llogaria do të hapet në pika të Postës Shqiptare, bankave tregtare ose institucionet financiare.

Procesi i licencimit do të jetë i njëjti, kërkohet kapital 400 mln lekë dhe zgjat 10 vite. Procesi do të bëhet me garë sipas një sistemi pikëzimi.

Publiciteti do të jetë i lejuar në media elektronike, hapësira veprimtarie të futbollit dhe programet sportive në orarin 22.00 e mbrëmjes deri në 08.00 të mëngjesit. Kompanitë mund të sponsorizojnë edhe skuadra futbolli.

Deputetët pjesëmarrës në komision, ngritën dhjetëra pyetje për paqartësitë e funksionimit dhe menaxhimit të lojërave të fatit.

Teksa e konsideroi të dështuar reformën për mbylljen e lojërave të fatit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin e monopolizimit të aktivitetit të basteve sportive.

Sot, vuri në dukje ajo, qeveria shqiptare kthen ligjin, ku fjalia kyç është “rikthimi i kategorisë së basteve sportive”, që do të thotë pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe pranohet që në 6 vite kanë operuar bastet sportive.

“Paska dhe një shoqatë bastesh sportive kur ndërkohë nuk lejoheshin. Si mund të ekzistojë një shoqatë për një aktivitet që nuk lejohet? Kam frikë se gjithçka do jetë monopol”, tha Tabaku.

Ndërkohë deputeti socialist Erion Braçe, një prej zërave më të fortë kundër lojërave të fatit propozon që bastet sportive të menaxhohen nga shteti.

“Jam për modelin që duhet ta ketë shteti. Sepse edhe kështu do të jetë një luftë mes atyre ilegalë dhe legalë. Sa kohë që ilegaliteti do të vazhdojë duhet të rrijë shteti përballë, jo në mes. Nëse ky aktivitet nuk mbyllet dot – dhe është provuar se nuk mbyllet dot askund, dhe këtë jua kam thënë edhe para 5 vitesh – ta ketë shteti. Shteti ti rrijë përballë çdo lloj strukture që do të jetë ilegale dhe që sipas këtij modeli do të legalizohet”, tha Braçe.