Kryesore Rritja e pagave për Kushtetuesen, Berisha: Akt korrupsioni, qeveria po blen gjyqtarët

Rritja e pagave për Kushtetuesen, Berisha: Akt korrupsioni, qeveria po blen gjyqtarët

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti në parlament, një qëndrim kundër propozimit për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses.

Berisha në fjalën e tij e cilësoi rritjen e pagave si një akt të tmerrshëm cinizmi dhe korrupsioni, pasi sipas tij qeveria me këtë ligj po tenton të blejë Gjykatën Kushtetuese.

Berisha theksoi se një rrogë prej 7-8 milionësh bëhet, pothuajse dyfishi i rrogës së Presidentit të Republikës, bëhet me qëllimin e vetëm për t’i blerë ata.

“Jam këtu për të përshëndetur qeverinë e Malit të Zi, që hapi dje në një akt drejtësie, shkollën e parë shqipe në Rrozhajë, në një zonë që ka qenë djep shqiptarizmi, banorët e së cilës, në kushte tejet të vështira, arritën të ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre.

Kështu që unë përshëndes qeverinë, Ministrinë e Arsimit dhe ministrin tjetër të çështjeve të pakicave, të cilët inauguruan shkollën e parë shqipe në Rrozhaje.

Natyrisht kjo marrëveshje që sillni këtu, kjo është një akt i dobishëm për një numër punëtorësh, që detyrohen sot për shkak të rrogave pothuajse dy herë më të larta në vendet fqinj, ndonëse resurset ekonomike të Malit të Zi janë dy-tre herë më të pakta se në Shqipëri, por çdo fjalë, çdo përpjekje e juaja për pensionistët, është kulmi i hipokrizisë.

Ju votuat këtu rritjen e rrogave të deputetëve me 3.8 mln lekë. Ju autorizuat deputetin  të marrë nga mundi dhe djersa e shqiptarëve, aq sa marrin në muaj 38 pensionistë.

Nuk ekzistojnë në botë raporte të tilla pagash, sepse ekziston kudo ai që quhet kohezion social dhe që e detyron qeverinë të ruajë proporcione të pranueshme.

Por në një akt të tmerrshëm cinizmi dhe korrupsioni, për të blerë Gjykatën Kushtetuese, e cila sillet sot ndaj të drejtës kushtetuese si një organ që e shkelmon atë, aq sa është shkelmuar nga ajo gjykatë në 30 vite të marra së bashku.

Ju sot në një akt absurd, në një akt të hapur korruptiv, kërkoni të rrisni rrogat e tyre 7 dhe 8 milionë. Unë ju rikujtoj sot se gjykatësi më i fuqishëm, ai i Gjykatës Supreme në SHBA- presidenti i kësaj gjykate ka një rrogë vjetore prej 290 milionë dollarë. Presidenti i SHBA ka një rrogë prej 400 mijë dollarë.

Kurse ju përcaktoni një rrogë për të blerë një tufë gjykatësish, pothuajse dyfishi i rrogës së presidentit të republikës.

Për të treguar se nuk njihni shtet, por vetëm interesa pazaresh dhe mafiesh.

Si mund të flisni ju për pensionistë, kur i jepni një gjykatësi, që nuk ka qenë kurrë gjykatës, aq sa do marrin 80 pensionistë në muaj?

Ç’është ky akt mor? Pse kaloni në këtë shkallë pashpirtësie ekstreme?

Pazari dhe vetëm pazari janë kriteret tuaja dhe të Edi Ramës. Ju jeni vetëm figurina të tij.

Të flisni për pensionistët këtu dhe të votoni rroga dhjetë herë më të mëdha se rroga mesatare, rroga sa 15 herë më të mëdha se rroga mesatare, nuk ka parlament të një vendi demokratik që i lejon vetes një gjë të tillë. Por ju jeni narkoshtet“, tha Berisha.