Hunter Biden , djali i presidentit amerikan Joe Biden, është paditur për tre akuza, të gjitha lidhur me posedimin e paligjshëm të një arme, të cilën ai e bleu duke gënjyer kur ishte përdorues droge.
Aktakuza historike kundër djalit të një presidenti në detyrë vjen pas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë që mund t’i jepte fund një hetimi shumëvjeçar ndaj Hunter Biden-it dhe vjen gjithashtu teksa republikanët e Kongresit ndjekin një hetim për shkarkimin e presidentit demokrat, kryesisht për marrëdhëniet e biznesit të Hunter Biden.
Biden u padit në gjykatën federale në Delaëare për tre akuza në lidhje me posedimin e një pistolete nën ndikimin e drogës. Dy akuza pretendojnë se Biden paraqiti një formular ku deklaronte se ai nuk përdorte drogë të paligjshme kur bleu një revolver Colt Cobra në tetor 2018. Akuza e tretë pretendon se ai posedonte një armë zjarri, ndërsa përdorte drogë.
Rasti po mbikëqyret nga këshilltari special David Weiss, i cili gjithashtu drejtoi hetimin. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland emëroi Weiss si këshilltar special në gusht, kur negociatat mbi taksat dhe akuzat për armë dështuan. Hetimi i Weiss filloi në vitin 2018, një vit përpara se Joe Biden të shpallte kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë.