Ministri i Brendshëm grek, Janis Ikonomu reagoi së fundmi pas takimit që zhvilloi në burgun e Durrësit me fituesin e zgjedhjeve për kryebashkiak në Himarë, Fredi Belerin.
Ikonomu në formë urdhërore iu kërkon autoriteteve shqiptare që të lejohet menjëherë betimi i Belerit si kryebashkiak i Himarës, teksa shton se kjo çështje po hedh hije mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Për Greqinë, ky rast ishte që në fillim dhe mbetet jashtëzakonisht serioz. Respektimi i shtetit ligjor dhe të drejtave civile janë parimet dhe vlerat kryesore evropiane. Qëndrimi i Greqisë është se në rastin e z. Beleri, nuk merren parasysh parimet e shtetit ligjor, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i të drejtave civile.
Pala shqiptare duhet të lejojë menjëherë betimin e zotit Beleris si Kryetar Bashkie, duke respektuar verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit. Zgjerimi i situatës aktuale hedh seriozisht një hije mbi marrëdhëniet tona dypalëshe dhe nuk është në përputhje me acquis evropiane, me gjithçka që ajo përfshin”, deklaroi Ikonomu.