Në një shteg 540 km përgjatë bregut të Mesdheut të Turqisë, turistët kanë mundësinë të njihen me trashëgiminë e pasur të Licias, një republikë e lashtë detare që njihet si bashkimi i parë demokratik në botë, shkruan BBC.
I përjetësuar në Iliadë si vendi i “lumit Xanthos”, Licia e lashtë ishte një fortesë malore e populluar nga një racë, origjina e së cilës mbetet ende një çështje spekulimi. Historiani i lashtë grek, Herodoti, pohoi se paraardhësit e Licianëve, Trm̃mili, “rrodhën fillimisht nga Kreta”, megjithëse studiuesit e ditëve moderne besojnë se ata ishin një popull anadollak që u helenizua pasi Aleksandri i Madh pushtoi rajonin. Dhe ndonëse licianët u zhdukën në harresë shumë kohë më parë, të asimiluar nga bizantinët dhe turqit, trashëgimia e tyre politike vazhdon të mbetet.
Më 30 qershor 1787, presidenti i SHBA-së, James Madison, mbajti një fjalim në Konventën Kushtetuese në Filadelfia. Forumi ishte mbledhur për të identifikuar një sistem më efektiv të qeverisjes për kombin e ri. Madison në këto diskutime përmendi shembullin e Licias. Lidhja Liciane, argumentoi ai, ishte ndryshe.
E formuar në shekullin II p.e.s dhe e përbërë nga 23 qytet-shtete, Lidhja Liciane ishte bashkimi i parë demokratik në botë, një model i një konfederate të fortë të bazuar në përfaqësimin popullor dhe proporcional. Rrethanat e krijimit të Lidhjes janë të paqarta, por ndoshta ishte një përgjigje ndaj tiranisë së Rodosit, së cilës iu caktua kontrolli i Licias në vitin 190 p.e.s nga Roma. Lidhja nuk mundi të përcaktonte politikën e jashtme, por zgjodhi një ekzekutiv qeverisës, gjyqtarë vendas., si dhe mblodhi taksat. Filozofi francez i shekullit të 18-të, Montesquieu, e quajti atë “kushtetutën më të përsosur të antikitetit”.
Një vend fantazmash
Shumë nga shtigjet që ekzistojnë akoma në këtë zonë kanë qenë rrugët dhe arteriet mijëravjeçare që lidhnin qytetet e Licias, historia e të cilave përfundoi pasi perandori romak Klaudi aneksoi rajonin në vitin 43 të es. Alpinistët dhe turistët janë të paktë në Rrugën Liciane, por shtegu është plot jetë, me kafshë të shumta që popullojnë pyjet si p.sh. dhitë, breshkat dhe gjarpërinjtë e zinj që herë pas here kalojnë nëpër rrugë.
Ndër vite, eksplorues të ndryshëm e kanë konsideruar këtë rajon një vend të përhumbur në botë, një vend fantazmash. Varret e zbrazëta shtrihen në çdo fushë dhe korije, si gjurmët e fundit të lëna nga një trashëgimi e vdekur. Sipas historianëve, varret ishin një pjesë e dukshme e strukturës urbane të Licias. Dy varre shumë të veçanta që ende ruhen të parrënuara sot janë: Varri i Harpisë, i stolisur me relieve të figurave femra me krahë dhe Obelisku Xanthian, gdhendur me shkrimin lician që ende nuk është deshifruar plotësisht.
Shumë të rëndësishme për arkeologët konsiderohen edhe rrënojat Patara, kryeqyteti i Lidhjes Liciane. Dikur një port i lulëzuar, Patara u braktis gradualisht pasi lumi i saj u mbulua me baltë. Ndërtesa më e rëndësishme e qytetit ishte Dhoma e Këshillit, ose buleteri. Me një auditorium gjysmërrethor me 20 rreshta stolash prej guri, kjo shtëpi kuvendesh e restauruar së fundmi ishte qendra politike e Lidhjes Likiane. Pikërisht nga ky vend u frymëzua edhe presidenti amerikan, Madison. Falë tij, sot Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së është themeluar mbi parimin Lician, me 435 vende të ndara midis 50 shteteve në raport me popullsinë e tyre.