Sport Super Vlahovic dhe Chiesa, Juventus asfalton Lazion

Super Vlahovic dhe Chiesa, Juventus asfalton Lazion

Juventus ka fituar bindshëm ndaj Lazio (3-1) e udhëhequr nga Dusan Vlahovic (dopietë) dhe Federico Chiesa, të duartrokitur nga 40 mijë tifozët e Allianz Stadium kur u zëvendësuan. Dy sulmuesit bardhezinj vazhdojnë të shënojnë (4 gola në 4 ndeshje për serbi, 3 për italianin) dhe skuadra e Massimiliano Allegri vazhdon marshin në kampionat: 10 pikë në 4 ndeshje, suksesi i parë në një përballje direkt dhe iu vë presion dy skuadrave të Milanos.

Ndeshja

“Bardhezinjtë” dominuan gjithë sfidën, ndërsa zhbllokuan takimin që në minutën e 10’ me Vlahovic.

Ndërsa në minutën e 26’ Chiesa dyfishoi avantazhin për ekipin e Juventus, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-0.

Në fraksionin e dytë Lazio tentoi të reagonte dhe ia doli të ngushtonte diferencën me Luis Alberton në minutën e 64’.

Megjithatë buzëqeshja në fytyrat e ekipit të Sarrit zgjati shumë pak, më saktë vetëm tre minuta, pasi në minutën e 67’, Vlahovic shënoi golin e tretë për ekipin e tij dhe vulosi këtë takim.

Pas raundit të katërt të Serie A, Juventus ngjitet përkohësisht në krye me 10 pikë, një më shumë se Interi i vendit të dytë dhe Milani i vendit të tretë, por me dy ekipet e Milanos, që ende nuk e kanë zhvilluar takimin e kësaj jave.

Lazio nga ana tjetër renditet në vend të 15-të me vetëm tre pikë në katër ndeshje.