Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga karabinerët e Trevisos gjatë një operacioni antidrogë që është zhvilluar të shtunën mbrëma.
Shqiptarët, të moshës 32 dhe 43 vjeç janë arrestuar në flagrancë, teksa policia iu ka gjetur 58 kilogramë drogë dhe 410 mijë euro para cash.
Së bashku me ta është vënë në pranga edhe pronari i shtëpisë në Silea, një shtetas italian.
Për disa kohë karabinierët kishin monitoruar lëvizjet e dyshimta të grupit dhe makinave që hynin dhe dilnin pranë vileë së izoluar në Silea, në periferi të Trevisos.
Sapo hynë në banesën e shqiptarëve, efektivët ndjenë një erë shumë të fortë marihuane.
Pas kontrollit që vazhdoi gjatë gjithë natës, u gjetën 49 kg kanabis, 8 kg marihuanë, 35 gram heroinë dhe 96 doza ekstazi.
Po ashtu u gjetën mjete që shërbejnë për peshimin dhe paketimin e lëndës narkotike, paratë cash si dhe disa fletore ku shënoheshin me numra dhe emra të koduar të dhënat e klientëve dhe sasia e shitur.
Të arrestuarit janë dërguar në burgun e Trevisos dhe tashmë janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.