Babë e bir nga Durrësi kanë tentuar të kalojnë rreth 300 kg kanabis me kamionin e tyre në pikën kufitare të Bozhajt në Mal të Zi.
Gjatë kontrollit të kamionit të ngarkuar me dërrasa dhe me paleta që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, kanë gjetur 180 pako me kokainë. Si pasojë, kanë shoqëruar të dy shtetasit, babë e bir, ndërsa ka nisur hetimi për bashkëpunëtorët e tyre.
“Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti, në bashkëpunim me policinë Malazeze janë duke hetuar një rast të trafikimit të një sasie rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi. Policitë e dy vendeve, kanë intensifikuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip ‘Renault’, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.