Opinione Si e kapin “rob” politikanin që drejton institucionin vartësit e tij?

Si e kapin “rob” politikanin që drejton institucionin vartësit e tij?

Nga Artan Fuga

Duket si paradoksale. Shefin që drejton me mandat politik, me kompetenca të gjëra, pothuajse Zot në institucionin apo agjencinë që drejton, ta kapin “rob” vartësit e tij? Ata që ai ka emëruar ndoshta me dorën e tij, sipas qejfit të vet, pa pyetur njeri?

Po, po, po, është e mundur sado duket e pamundur. Këtë e ka vërtetuar teorikisht sociologjia e burokracisë, ku vend të veçantë zë vepra e Maks Weberit, e ka konfirmuar jo në pak raste, madje edhe ditë për ditë përvoja planetare e burokracisë, e sheh shpesh edhe në realitetin shqiptar, e prek çdonjeri me buzëqeshje, oh sa të lezetshme (!), dhe e ka sinjalizuar prej kohësh edhe filozofia.

Sa bukur e ka shpjeguar marrëdhënien midis skllavopronarit dhe skllavit filozofi gjerman i shekullit të 19-të Hegel. Të gjithë, pa pasur nevojë të kenë mend, e kuptojnë se skllavi varet nga skllavopronari. Por, zgjuarsia filozofike është atëherë kur kupton që edhe skllavopronari varet nga skllavi.

Imagjinoni sikur skllavi të mos dojë më të punojë! Më vrit! – t’i thotë skllavopronarit. Ky i fundit pa skllevër ngordh për bukë pastaj. Puna është se a ka aq skllavopronarë të zgjuar sot që ta kuptojnë këtë!!!

***

Nejse, historira të vjetra këto! Të vijmë te realiteti ynë.

A mundet që vartësit, ta zëmë nëpunësit, t’i hypin në qafë shefit të tyre, ta zëmë një politikani që drejton një institucion, t’i kërkojnë lloj-lloj privilegjesh, ta kapin “rob”, të mos e pyesin fort sadoqë përpara të tjerëve e thërrasin “shefi”, “shefi”, kurse pas krahëve e tallin, i vendosin lloj-lloj nofkash të lezetshme tallëse, të mos ja varin fare sikurse thotë populli, me një fjalë “t’i hypin në qafë”, dhe prej këndej mjerë qytetari?

Mundet, si nuk mundet! A nuk e shihni herë pas here aq qartë, sa gjithçka del edhe në publik në formë skandalesh, turpesh, që e gjithë bota qesh, qesh e hesht, hesht e qesh!

Pse ndodh kjo? Oooo, për një mijë arë

sye, por le të përmendim disa:

Ndodh, thotë sociologjia e burokracisë, që shefi – politikan drejton një institucion jo se ka kompetenca profesionale për ta bërë. Doktori ndodh që drejton ushtrinë, financieri ndodh që drejton kulturën, ushtaraku pretendon të drejtojë arsimin, e kështu me radhë. Kuptohet që për të ruajtur etikën shembujt i zgjodha pak kot, por realiteti është ky.

Atëherë çfarë të bëjë shefi i shkretë? Sigurisht duke mos kuptuar gjë nga fusha ku duhet të ushtrojë detyrën që ka marrë si dhuratë, ka nevojë jetike për nëpunësit e tij teknikë që i hiqen si profesionistë në atë lëmë. Bën çfarë t’i thonë ata përndryshe rrezikon të bëjë gafa të tmerrshme, të bëhet lolo në publik, të kalojë në gjendje qesharake që brenda disa muajsh pastaj ja rrënojnë autoritetin, reputacionin dhe bashkë me të dhe postin.

Imagjino që një nëpunës – vartës t’i bëjë një fjalim publik shefit të vet me lloj-lloj broçkullash që më kujton artikujt e Shvejkut në një revistë për zogj! E gjithë bota do të qeshte me lot nga gafat e shefit.

Prandaj ky i fundit, duke e ditur këtë, edhe e skllavëron vartësin e e tij, por edhe ndihet një skllav i skllavit të tij, apo një skllave e nënshtruar, lozonjare, “seksi,” e skllavit të vet, pra e vartësit të vet që i hedh trutë e gomarit ose të gomaricës!

Por, ky është rasti më i mirë. Ka akoma edhe më keq. Vartësi është emëruar sepse ka miq, ka lidhje politike, ka marrëdhënie me botën e pasurisë, ka afërsi kushurlliku me këtë apo politikan të fuqishëm, thjesht vjen nga një klan i fortë.

Atëhere mjerë shefi! Jo që nuk e urdhëron dot vartësin e tij, por i serviloset, i plotëson të gjitha tekat, pothuajse e mban hopa në kurriz.

Dikur një ambasador shqiptar në një kryeqytet të Evropës më pati thënë në konfidencë : O Tan, nga të gjithë nëpunësit e ambasadës, unë nuk urdhëroj dot asnjë, sepse janë emëruar me lidhje politike shumë më të forta se të miat! Një ditë edhe shoferi më tha : Pse unë do të rri të pres ty sa të dalësh në mbrëmje nga një aktivitet diplomatik? Ik o merr një taksi, a thuaji ndonjë ambasadori të ndonjë vendi tjetër të të marrë në makinë kur të kthehesh!

Ndërkaq një pjesë e vartësve bëjnë fushatë elektorale për shefin e tyre. Pra, shefi e di se pushteti i tij ka ardhur në burim nga puna e vartësve të tij. Por, jo nga puna që paguhet rregullisht me rrogë, por nga ajo puna tjetër e militantit në parti, që ruan votat në komisionin e votimit, që mund të paguajë ndonjë lek në dorë për të ndikuar këtë apo atë segment të elektoratit.

Por, shefi apo shefja politikane ka si çdo njeri edhe veset e veta, tekat e veta, dobësitë e veta, libidon e vet. Mund të jetë edhe pak kleptomane ose hajdut xhepash. I qëllon, sepse helbete njerëz jemi, që të ketë nevojë të bëjë ndonjë tender të dyshimtë, të marrë ndonjë vendim që privilegjon burrin, djalin e tezes, burrin e motrës, së vet, ka nevojë të “ngjyejë” pak duart në privilegjet që ka shpërndarë me vendimet e veta, atëherë kush do ta bëjë këtë “punë të ndyrë”, veç ndonjë apo disa prej vartësve të vet?

Pasi e bën këtë një herë, dy, tre herë, turpi del. Bashkë me turpin edhe frika. Kufiri është kaluar. Virgjëria është kapërcyer si pengesë arkaike, sikurse thoshte Balzaku te Komedia Njerëzore, mund të bëjë “seks” sa të dojë, pra mund të hyjë thellë e më thellë në marrëdhënie korruptive me vartësit e vet!

Tani vartësit kanë të drejtë ta kthejnë shefin apo shefen në një kaluç për të bërë “kapërcim kaluçi”. Duan rroga, ngjitje të shpejtë në karrierë, paga gjithnjë më të larta, shërbime luksoze, dieta të fryra, duan të udhëtojnë në klasë të parë në avion, mundësisht të vijnë në punë aty nga ora njëmbëdhjetë e paradites, të dalin për kafe kur të duan, të përfitojnë tendera për të afërmit e tyre, me një fjalë ta shtrijnë përtokë shefin apo shefen e tyre dhe t’i kercejnë përsipër!

Këtu institucionin pastaj e merr lumi. Qytetarët që kujtojnë se drejtohen nga politikani që i kanë dhënë votën, në fakt drejtohen realisht nga vartësit kopila, horra, mashtruesa, shejtan-budallenj, të shefit!

Shefi, o shefooo!, nuk ka veçse çelësat e kashtës!

Nuk besoni? Shifni raportet Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzimet në administrata! Një pjesë e mirë e kanë burimin pikërisht këtu!

Te nëpunësi vartës që pasi e ka vendosur poshtë shalëve të veta qafën e shefit apo të shefes së vet, gufmohet me kostum e kollare nëpër makina luksoze, kafenera të shtrenja, resorte, avionë, a gjetiu, qethur shkurt jo gjithmonë sepse është tullac, por se ngjan si i fortë, në shoqëri të të ngjashmëve të tij, duke krijuar shoqërinë e fshehtë të vartësve që sundojnë shefat e tyre! Popullin e përbuzin, puna nuk është për ta, ata veçse japin urdhëra, kanë lloj lloj emërtesash “këshilltar”, por që në fakt këshillat e tyre janë urdhëra për shefen e tyre, ose shefin e tyre, shpesh nuk janë veçse lëçitje të qejfit të shefit a shefes në sytë e këtyre të fundit, dhe kështu administrata tenton të bëhet një familje e madhe ku vartës dhe shefa janë bërë në fakt vëllamër, motrushe, krushq me njëri-tjetrin.

Aq përmasa horrori merr ndonjëherë kjo gjë, sa një ditë jam hedhur përpjetë kur dëgjova një deputet kokëbosh që në një mbledhje të një komisioni të Kuvendit i konsideronte deputetët e tjerë aty, edhe të opozitës, si një grup miqsh me njëri tjetrin, dhe qytetarët si njerëz të huaj që pretendojnë të fusin hundët në punët e tyre!

Por, këto janë raste patologjike, fundja si shkruante Frojdi patologjia e vërtetë është kjo: patologjia e jetës sonë të përditshme!