Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë së Lirisë, ka paralajmëruar një luftë të ashpër politike me Erion Veliajn në këshillin bashkiak të Tiranës.
Meta deklaroi se tashmë në këshillin bashkiak do të shfaqet opozita e vërtetë, e jo ajo e Bashës.
“Sigurisht që kjo situatë tepër kritike që po kalon vendi na fton si Parti e Lirisë dhe opozitë na fton për një organizim me efikas në kushtet e kapjes së shtetit, jo vetëm të kemi një agjentë politike aktive në parlament dhe pushtetin vendor, të rrisim kontaktet me grupet e interesit që po vuajnë pasojat e rëndë të kësaj qeverie të papërgjegjshme”, u shpreh ndër të tjera Meta.
Ndërsa u përqendrua te nisma e qeverisë për rikthimin e basteve sportive, duke ironizuar me një shprehje të kryeministrit Edi Rama të mbajtur në kohën kur lotot u mbyllën.
“Pas disa vitesh jemi dëshmitarë sesi harami po kthehet në hallall për të na treguar se pafytyrësia e rilindjes nuk ka kufij kur bëhet fjalë për lekë për të futur duart në xhepat e shqiptarëve. Ne e dimë shumë mirë se çfarë është thënë. Është thënë se marrëzisë i erdhi fundi, është thënë se qarkullonin mbi 700 milionë euro nga ky kryeministër që po i rihap, që sipas tij po financonin llumin dhe ishin veprimtari me burime kriminale me pronar me precedent kriminal, ndërsa tani po i hap vetëm për ti kontrolluar vetë duke ia dhënë klientëve të tij dhe duke përfituar nga një sektor ku përfitimet llogariten me qindra miliona euro në vit. Ky është modeli i qeverisjes, modeli i zhvillimit ekonomik që nuk ka lidhje me modelin e qëndrueshëm që bazohet te puna, që bazohet tek prodhimi vendas, tek eksportet”, tha Meta.
Sipas Metës, Rama po rihap bastet për t’i kontrolluar vetë duke ia dhënë klientëve të tij.
Ndërsa nuk la pa komentuar edhe operacionin e bujshëm Tempulli me arrestimin e rreth 300 personave, që sipas tij, mbart në vetvete një synim, atë të fshehjes së ndalimit të Amant Josifit.
“Ishte një lajm pozitiv aksioni për kapjen e personave shpërndarës të drogës. Ajo që ishte interesante ishte përpjekja për të shmangur një lajm të rëndësishëm, arrestimi nga autoritetet spanjolle i ish-këshilltari i ish-ministres së mbrojtjes dhe ish-partner i vëllai të kryeministrit për një aferë skandaloze të përmasave 2.4 miliardë euro ku epiqendra e këtij aktiviteti ishte Shqipëria dhe roli kyç që kishte pasur ky individ. Atë që nuk mund ta bëjë drejtësia e shteti i kapur nga Edi Rama e bëri drejtësia spanjolle. Kjo tregon kush është i lidhur me nivelet më të larta gëzon anashkalimin e drejtësisë dhe të institucioneve. Atë që së bëri shteti i kapur nga Edi Rama e bën autoritetet spanjolle, pasi atje ka vullnet për të goditur krimin e organizuar. Kjo tregon se kush është i lidhur me kreun e qeverise gëzon anashkalimin e drejtësisë dhe institucioneve të së drejtës. Ndërsa qytetarët që nuk kanë mundur të paguajnë dritat, ndëshkohen me zell të zakonshëm , ashtu si ata 70 e ca vjeçarët që u ndaluan dhe akuzuan për shpërndarjen e drogës””, u shpreh Meta.