Aktualitet Kush është efektivi që u plagos në Tiranë dhe 42-vjeçari që e...

Kush është efektivi që u plagos në Tiranë dhe 42-vjeçari që e qëlloi. Policia jep 20 mijë euro për çdo informacion

Edlir Alleshi është efektivi i forcave “Shqiponja” që ka mbetur i plagosur, pasi është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në kryeqytet.

Polici së bashku me një koleg ka ndërhyrë pas një telefonate në sallën operative, për neutralizimin e një të dyshuari që lëvizte me armë në zonën e Kinostudios. Dy efektivët e “Shqiponjave” janë vënë në ndjekje të personit që paraqiste rrezikshmëri, por ky i fundit ka qëlluar dy herë në drejtim të tyre.

Efektivi Alleshi për pasojë ka marrë dy plumba në bark, por fatmirësisht gjendet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës.

Sakaq, uniformat blu kanë identifikuar autorin e ngjarjes, si shtetasi Klored Bozhani, 42 vjeç.

Në vendngjarje është gjetur edhe makina e tij me targa italiane, e cila po i nënshtrohet një kontrolli të detajuar nga ana e efektivëve të policisë.

Klored Bozhani

Mësohet se Bozhani njihet si përdorues i lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që “kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”.