Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një prononcim për gazetarët dha detaje për autorin e dyshuar të plagosjes së efektivit Edlir Alleshi, pasditen e sotme në Tiranë.
Vocaj tha se autori i dyshuar Klered Bozhanaj, 42-vjeç është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni.
“Në orën 18:55 në rrugën Hysen Xhura një patrullë e shërbimit Shqiponja duke patrulluar në sektorin e saj ka konstatuar një qytetar që sapo ka parë policinë është larguar në mënyrë të dyshimtë. Ata e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në një hyrje pallati që përkon pak a shumë me shkallën e shtëpisë së tij. Për pasojë efektivi është plagosur, ai ka një dëmtim me armë zjarri. Është jashtë rreziku për jetën. Shërbimet e policisë, RENEA dhe gjithë forcat e policisë të gjithë republikës janë mobilizuar për kapjen e autorit, Klered Bozhanaj, 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia vë në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit”, tha kreu i policisë.
Vocaj po ashtu shtoi se Boxhanaj rezulton të jetë kthyer nga Italia në Shqipëri në muajin gusht.
Po ashtu policia vuri në dispozicion 20 mijë euro për këdo që do të ndihmojë në kapjen e tij.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”.