Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sot në një reagim për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.
Kurti thotë se 30 persona të armatosur rëndë janë rrethuar nga policia në Zveçan dhe janë autorët që vranë policinë.
Ai tha më tej se po vijojnë sulmet ndaj policisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje që të dorëzohen.
“Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave policore. I ftoj të dorëzohen. Formacion me profesionistë, ushtarak në Zveçan në dhe rrotull manastirit atje. Këto automjete janë pa targa, nuk i posedojnë serbët lokalë dhe askush që është civil në republikën tonë. Këto janë dy kamionët që kanë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Shihni atje një person të maskuar që mban armë krahu që nuk është tipike për policinë”, tha Albin Kurti
Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një sulmi me armë në Leposaviç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit kur dy persona të maskuar kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç.
Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i Policisë Kufitare.