Sport Lacio post-Tare është një katastrofë, presidenti Lotito tërbohet dhe izolon ekipin

Lacio post-Tare është një katastrofë, presidenti Lotito tërbohet dhe izolon ekipin

Vetëm 4 pikë në 5 javët e para flasin për një krizë të skuadrës nënkampione të Italisë. Lacio, në startin e një sezoni shumë të ngjeshur, të denoncuar nga Sarri kohë më parë, paradoksalisht ka fituar vetëm në fushën e Napolit dhe ka humbur pikë ndaj Leçes, Juventusit, Xhenoas dhe Moncës.

Lacio post Igli Tare po rezulton një katastrofë. Ish-drejtori sportiv shqiptar u largua në verë pas shumë vitesh te skuadra bardhekaltër. Sarri është i shqetësuar për gjendjen e skuadrës, por ai që është tërbuar nga kjo ecuri është presidenti Klaudio Lotito. Në prag të ndeshjes me Torinon ai ka anuluar ditën e pushimit dhe ka urdhëruar grumbullim të detyruar për lojtarët.

Zakonisht, grumbullimi ditën para ndeshjes është fakultativ, por këtë herë të gjithë janë të detyruar të qëndrojnë në qendrën sportive. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe më parë me Lacion në kohën e Sarrit.

Mes presidentit Lotito dhe trajnerit Sarri ka pasur edhe ndonjë fërkim gjatë dhe pas ndeshjes Lacio-Monca, 1-1. “Duhej të fusje Kastelanos”, – i ka ulëritur Lotito trajnerit dhe këto fjalë janë dëgjuar nga të gjithë të pranishmit. Pakënaqësi ka edhe për Laxarrin, që për herë të tretë radhazi qëndroi në stol.

Sarri ka folur me lojtarët për të kuptuar problemin e këtij starti kaq të dobët, që me shumë mundësi është psikologjik. Largimi i Milinkoviç-Saviç ndërkohë ka lënë një gropë të madhe në skuadër.