Kosova Tajani: Po punojmë për të përforcuar praninë e KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi

Tajani: Po punojmë për të përforcuar praninë e KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani paralajmëroi përforcimin e pranisë së trupave të NATO-s në kufirin Kosovë-Serbi, për të parandaluar përleshjet e mëtejshme, mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në rajon.

Ai e bëri këtë paralajmërim në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter, në të cilin tha se ka biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, duke u bërë thirrje për inkurajim të dialogut mes palëve.

“Në marrëveshje me (ministrin Italian të Mbrojtjes) Guido Crosetto ne punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”, thuhet në postim.

Paralajmërimi pasoi përleshjet e së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.

Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë, ndërsa gjashtë veta u arrestuan.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, mohoi çfarëdo lidhjeje me grupin.

Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe bisedimet mes palëve.

“Këshillime të ngjeshura dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë (të Francës, Emmanuel) Bonne, (të Gjermanisë, Jens) Plotner, (të Italisë, Francesco) Talo dhe të dërguarin Escobar. Diskutuam për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri. Mirënjohës për mbështetjen e tyre”, shkroi zoti Lajçak.

Zyrtarë të BE-së thanë se ai është vënë në përpjekje për takime të reja në Prishtinë dhe Beograd në orvatje për ripërtëritjen e bisedimeve, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.

Sulmi i së dielës shënon një nga ngjarjet më të rënda në Kosovë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Nëntë vjet pas përfundimit të luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./VOA