Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Kukës, ku socialistët arritën që të fitonin me rezultat të thellë përballë kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë. Meta tha se rezultati i zgjedhjeve të Kukësit, i shtohet librit të zi të shkeljeve të zgjedhjeve të 14 Majit.
Sipas Metës, opozita do të bëjë gjithçka për të bashkuar të gjithë forcën e saj, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për rastin McGonigal, ku tha se ish-agjenti i FBI u pagua nga Tirana për të goditur opozitën.
“Pas skandalit të shpjegosh rezultatin… kjo s’ka lidhje. Zgjedhjet e Kukësit janë thjesht një faqe më shumë në librin e zi të 14 majit dhe një tregues i partisë shtet që kontrollon në mënyrë shumë të qartë botën e qytetarëve shqiptarë. Pastaj nga kalimi në fitore në fitore kjo është histori e së kaluarës.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me çdo faktor opozitar për fuqizimin e opozitarizmit.
Kemi ditët e fundit edhe pranimin e fajësisë më në fund përpara gjykatës federale të Uashingtonit përsa i takon rolit të tij me Shqipërinë. Është e qartë që McGonigal ka bërë çdo gjë në këmbim të marrjes së porosive nga Rama për të goditur opozitën. PL do bashkëpunojë çdo faktor që nuk bëhet zgjatim i zinxhirit të Ramës.”- tha Meta.