Kosova Ambasadori amerikan në Kosovë: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar...

Ambasadori amerikan në Kosovë: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka reaguar sërish lidhur me sulmin e rëndë në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën 3 të tjerë.

Ai thotë se bëhet fjalë për një grup të trajnuar dhe i organizuar dhe se pas tij qëndron dikush që i ka pajisur me armatim.

“I dimë disa gjëra, por disa të tjera nuk i dimë. Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Është dikush pas tyre që i ka pajisur me armatim të rëndë. Ne jemi me popullin e Kosovës dhe po punojmë që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës. Ka pasur një koordinim të fortë mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Ky ishte një sulm i madh ndaj Kosovës me pasoja tragjike”, tha Hovenier.