Një punonjëse policie e Komisariatit të Rinasit, inspektorja Sulltane Kuka 29 vjeç, është përjashtuar nga Policia e Shtetit pas ndalimit se kishte shfrytëzuar pozitën e saj për përfitime personale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit miratoi propozimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale për të larguar nga organizata e policisë punonjësen Sulltane Kuka.
Efektivja 29-vjeçare u ndalua ditën e sotme për shpërdorim detyre. Ajo kishte hequr nga sistemi “Alert” i Policisë makinën e qytetarit Leonard K.
Përjashtimi i efektives u bë për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, pasi ditën e sotme gjatë inspektimit të bërë nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme.
Për këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaloi punonjësen e policisë me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.