Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, u bëri thirrje të martën Kosovës dhe Serbisë për uljen e tensioneve dhe kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai i bëri këto komente në rrjetin X, (ish-Twitter) pas bisedave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me situatën e krijuar pas sulmit të së dielës mbi policinë e Kosovës në veri, nga një grup i armatosur që vrau një oficer policie.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër policisë së Kosovës dhe shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë përkushtimet (e marrëveshjes) së Ohrit”, shkroi ai.
Ndërsa me presidentin serb Vuçic, shkroi ai, “fola për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi zoti Chollet.
Vrasja e policit të Kosovës në sulmin e së dielës nga një grup i armatosur që çoi në përleshje në të cilat u vranë tre pjesëtarë të grupit, ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit.
Sulmi ndodhi në një periudhë përpjekjesh të vështira për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.
Bashkimi Evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndërmjetësoi në muajin shkurt në Bruksel dhe më pas në muajin mars në Ohër një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por nuk pati asnjë hap domethënës për zbatimin e saj.