Që prej 18 shtatorit ka nisur në vendin tonë procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka ngritur sot disa shqetësime në lidhje me zhvillimin e këtij procesi.
Nga Kryesia e Kuvendit, ai tha se ka pasur shkelje flagrante gjatë regjistrimit dhe solli rastin e kreut të organizatës OMONIA. Ndwrsa tha se qytetarët nuk po pyeten për përkatësinë etnike, gjuhën dhe besimin fetar.
“Prej datës 18 shtator, ka filluar censi 2023. Me shqetësim, po ju prezantojmë gjetjet e aktivistëve të PBDNJ-së. Ka shumë raste që regjistruesit në kundërshtim me ligjin, nuk e kryejnë regjistrimin në tabletat përkatëse, por mbajnë shënime se do t’i hedhin më vonë, shkelje e rëndë e procedurës. Nuk lihet njoftim me shkrim në ato banesa kur nuk gjendet një qytetar, por edhe më keq, kemi raste të denoncuara kur nuk u drejtohen pyetjet mbi përkatësinë etnike, gjuhën dhe besimin fetar. Kur qytetarët duan ata u thonë që është fakultative. Fakultative është përgjigjja e qytetarit, pyetja është detyruese. Në shtëpinë e drejtuesit më të lartë të organizatës OMONIA, regjistruesi po plotësonte dokumentacionin e kryefamiljarit dhe regjistronte të gjithë pjesëtarët e familjes, regjistruesi mohonte të regjistronte pjesëtarët e familjes se nuk është këtu, ndërkohë që ligji i jep të drejtë të regjistrojë pjesëtarët e familjes dhe të deklarojë vendndodhjen e tyre. Kemi të bëjmë me shkelje.”
Ai u bëri thirrje minoriteve etnike dhe fetare që të deklarojnë gjuhën amtare dhe besimin fetar, ndërsa INSTAT-it i kërkoi që të ndërhyjë për të mos e shndërruar në farsë këtë proces.
“Është për të ardhur keq që edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe nëpunës të administratës ngrenë shqetësime të tilla që vihen në kundërvënie të hapur me frymën europiane. Ju drejtohem të gjithë qytetarëve dhe minoriteteve e komuniteteve fetare në vend të deklarojnë nëse është vullneti i tyre gjuhën amtare dhe besimin fetar. Është një instrument i pazëvendësueshëm për shtetin e qeverinë për të ushtruar politika me standarde bashkëkohore. E shtrij këtë thirrje tek INSTAT që të ndërhyjë te regjistruesit e të shpëtojë procesin nga shndërrimi i tij nën farsë e parodi. I bëj thirrje BE-së ta ndjekë këtë proces dhe të shmangë çdo aspekt negativ që të mos jetë edhe ky cens i dështuar sa i përket minoriteteve etnike dhe fetare në vend.”
Ai tha se për çdo denoncim të bërë në media ka fakte mbi emra vendbanim dhe bashki ku ka ndodhur.
Dule kërkoi gjithashtu “regjistrim të drejtë e të saktë të minoriteteve etnike në vend si instrumentin bashkëkohor të gjithëpranuar në të gjithë botën e civilizuar që çon në zbatimin e politikave adeguate të minoriteteve etnike konform konventës së këshillit të Europës”.