Tajvani ka zbuluar nëndetësen e tij të parë të prodhuar në vend, pasi po përpiqet të forcojë mbrojtjen kundër një sulmi të mundshëm kinez.
Presidentja Tsai Ing-wen kryesoi ceremoninë e nisjes në qytetin port të Kaohsiung të enjten.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Kina mund të jetë e aftë ushtarakisht për të ngritur një pushtim brenda disa viteve të ardhshme.
Tajvani është një ishull vetëqeverisës, të cilin Kina e konsideron si një provincë të sajën dhe është zotuar ta rimarrë një ditë.
Shumica e vëzhguesve besojnë se Kina nuk do ta sulmojë ishullin menjëherë dhe Pekini ka thënë se kërkon “ribashkim” paqësor me Tajvanin.
Por në të njëjtën kohë Pekini ka ushtruar gjithnjë e më shumë presion mbi ishullin me stërvitjet e saj ushtarake në ngushticën e Tajvanit, duke përfshirë disa të kryera këtë muaj.
“Historia do ta kujtojë përgjithmonë këtë ditë”, tha Tsai ndërkaq, teksa qëndronte përpara nëndetëses së lartë të mbështjellë me emblemën e flamurit të Tajvanit.
Ajo shtoi se ideja e një nëndetëseje të prodhuar në vend ishte konsideruar më parë “një detyrë e pamundur, por ne e bëmë atë”.
Sipas zyrtarëve ushtarakë, nëndetësja 1.54 miliardë dollarëshe me naftë, do t’i nënshtrohet disa testeve dhe do t’i dorëzohet marinës deri në fund të vitit 2024.