Aktualitet “Asnjë nga ne nuk e di çfarë fundi do të kemi”, postimi...

“Asnjë nga ne nuk e di çfarë fundi do të kemi”, postimi i fundit në Instagram i shqiptares që u vra në Itali

Klodiana Vefa, 35 vjeç me origjinë nga Shqipëria, u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e djeshme në provincën Casterlfiorentino të Firences në Itali.

Krimi ndodhi në rrugën via Galvani, pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes.

I dyshuari kryesor për ngjarjen është ish-bashkëshorti i viktimës, Alfred Vefa, të cilin policia e ka shpallur në kërkim..

35-vjeçarja kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme me burrin dhe ishin distancuar nga njëri-tjetri kohët e fundit.

Klodiana punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino, ku jetonte prej kohësh.

Në një prononcim për mediat lokale, shoqja e viktimës tha se bashkëshorti i Klodianës ishte një person i frikshëm, i cili ushtronte mbi të dhunë të fortë psikologjike.

“Ai ushtroi dhunë të fortë psikologjike. Ajo, gjithnjë e buzëqeshur, ndryshoi plotësisht kur ishte me të. Ai njeri ishte vërtet i frikshëm. Por ajo kurrë nuk e kishte denoncuar atë. Zgjati shumë. Nuk e di pse ra dakord për takimin e fundit. Këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Ai kishte filluar një jetë të re”, tha shoqja

Edhe në rrjete sociale, Vefa e tregonte hapur gjendjen e saj emocionale.

“E njoh shumë mirë veten, jam prej betoni dhe xham. Disa gjëra nuk më prekin, të tjera më shkatërrojnë,’ – shkruante ajo krah një postimi në Instagram më 17 shtator.

“Dashuria të merr gjithmonë pak në befasi, ka nga ata që pushtohen prej saj dhe në fund ikin dhe ka nga ata që e jetojnë atë me gjithë pasionin dhe forcën e tyre,” – thuhej në një postim tjetër, ndërkohë që shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë xhelozia.

“Në fund fare të gjithë themi se gjithçka do të shkojë mirë kur asnjë nga ne nuk e di çfarë fundi do të kemi,” – shkruhej në postimin e fundit të gruas së vrarë.