Aktualitet “Laert Haxhiu donte ta vriste”, merret në mbrojtje prokurorja e SPAK

“Laert Haxhiu donte ta vriste”, merret në mbrojtje prokurorja e SPAK

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i është drejtuar Policisë së Shtetit me një shkresë ku i kërkon marrjen në mbrojtje të prokurores Doloreza Musabelliu, emri i së cilës u përmend nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, si person që ishte planifikuar të eliminohej nga Laert Haxhiu dhe grupi i tij për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.

Sipas ndryshimeve me reformën e re në drejtësi, Policia merr menjëherë në mbrojtje prokurorët sapo të kërkohet nga ana e SPAK, megjithatë të hënën pritet të dalë në një deklaratë zyrtare edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të njëjtën çështje.

Goditja brenda llojit nuk ishte e vetmja që Laert Haxhiu, 32-vjeçari nga Lushnja, autor i dyshuar i dhjetëra krimeve, kishte planifikuar bashkë me grupin e tij që shpërndanë terror në disa qarqe të vendit në të paktën 10 vitet e fundit.

Doloreza Musabelliu, prokurorja e SPAK, ishte në shënjestër të tij dhe planin për eliminimin e saj ose të një familjari të cilin, po e thurte bashkë me bandën e tij pasi po ajo po e hetonte për krime të së shkuarës. Rrëfimi u bë nga Artan Tafani, 39-vjeçari që tashmë është bashkëpunëtor i drejtësisë dhe që ka zbardhur edhe 6 vrasje të tjera që u kryen nga vetë ai, Laert Haxhiu dhe grupi i tij i ekzekutorëve.