Aktualitet Po kthehet në një vatër të rrezikshme, Balla kërkon ndihmë nga BE-ja...

Po kthehet në një vatër të rrezikshme, Balla kërkon ndihmë nga BE-ja për shuarjen e zjarrit në Fier

Zjarri që ka përfshirë pyllin e Pishporos në Fier dhe në Darëzezë vijon prej gjashtë ditësh dhe po kthehet në një vatër të rrezikshme.

Në terren ka zbritur ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili ka njoftuar se është kërkuar ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

“Kemi kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit të madh”, theksoi zyrtari shqiptar.

Në një prononcimin për mediat, Balla ka vlerësuar situatën si tepër problematike.

Ministri është ndalur edhe njëherë tek zjarrvënia, duke e konsideruar vepër të rëndë penale. Ai kërkoi dënime të ashpra për zjarrvënësit.

Balla u shpreh se do të ketë vëmendje të shtuar për masivet pyjore, veçanërisht në zona të mbrojtura.

“Në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që në raste zjarri, situata të menaxhohet lehtë. Ky është një masiv pyjor me vlerë të veçantë, e fatmirësisht pylli me pisha është i rigjenerueshëm”, deklaroi ai.

Të gjitha vatrat e zjarrit në pyll janë aktivizuar duke u përhapur deri në masivin pyjor të Derëzezës, ku flakët u afruan deri në 300 metra pranë zonës së banuar dhe bizneseve që operojnë në të.

Dy mjete zjarrfikëse kanë venë nën kontroll këtë vatër zjarri të rrezikshme, ndërkohe që përgjatë gjithë natës zona është monitoruar nga shërbimet zjarrfikëse.

Prefekti Lefter Shehaj deklaroi se operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm ku në terren po punojnë pesë mjete zjarrfikëse me 20 efektivë, 40 efektivë të forcave të armatosura, punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (ADZM), forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes.